Fakte Dhe Mite Mbi Fluorin 

Fluori është një mineral që gjendet në disa lloje ushqimesh të ndryshme dhe në ujë. Qëllimi i këtij minerali është të parandalojë prishjen e dhëmbëve dhe të rimineralizojë smaltin e tyre. Fluori mund të jetë i rrezikshëm nëse konsumohet në sasi të mëdha edhe pse është e vështirë që ai të shkaktojë ndonjë dëm për shkak të sasisë së ulët të përdorur në produkte si pasta e dhëmbëve dhe shpërlarësit e gojës. 

Fakti është që duhet të edukojmë veten për përdorimin e fluorit pasi ka shumë mite të gabuara në lidhje me përdorimin e tij, veçanërisht kur bëhet fjalë për praninë e këtij përbërësi në ujë. Është e lehtë të gjesh informacione negative dhe shqetësuese që qarkullojnë online dhe ky informacion nuk bazohet në asgjë të vërtetë. Në këtë blog, do të përpiqemi të kuptojmë se çfarë është fluori, disa fakte rreth tij dhe disa nga mitet që po qarkullojnë vërdallë, në mënyrë që të kemi informacion të mjaftueshëm për ndikimin e tij në shëndetin tonë. 

Çfarë është fluori?

Fluori është një mineral që gjendet në kockat dhe dhëmbët tuaj, por gjithashtu gjendet në burimet natyrore si në tokë, ujë, bimë, ajër dhe shkëmbinj. Qëllimi i tij është të mbajë smaltin e dhëmbëve të fortë dhe funksionon duke parandaluar procesin e prishjes së dhëmbëve. Disa baktere në gojë mund të shkaktojnë prishjen e dhëmbëve. Këto baktere formohen nga ngrënia e ushqimeve të ëmbla dhe karbohidrateve të cilat prodhojnë acide që largojnë mineralet nga sipërfaqja e dhëmbit. 

Përdorimi i produkteve me fluor do të rigjallërojë sipërfaqet e dhëmbëve, do të parandalojë kariet dhe gjithashtu do të forcojë smaltin. Një faktor tjetër i rëndësishëm është se ky mineral shtohet në sasi të vogla në ujë dhe ky proces quhet fluoridim.

Për çfarë përdoret fluori? 

Fluori përdoret për të përmirësuar shëndetin e dhëmbëve dhe mund të gjendet në ujë ose në produkte dentare si shpërlarësit e gojës, pastat e dhëmbëve dhe suplemente të ndryshme. Në disa raste, dentisti mund t’ju jap një recetë me produkte me nivel më të lartë fluori për të parandaluar krijimin e karieve nëse jeni më të prirur ndaj tyre. 

Fluori mund të përdoret gjithashtu në skanimet e imazheve mjekësore, si skanimet PET, si një agjent pastrimi, në pesticide dhe për të ndihmuar në prodhimin e produkteve prej tefloni, çeliku dhe alumini.

Si i ndihmon fluori dhëmbët?

Fluori është i rëndësishëm për shëndetin e dhëmbëve sepse ndihmon në rindërtimin dhe ngadalësimin e humbjes së mineraleve nga sipërfaqja e dhëmbëve, anulon shenjat e hershme të prishjes së tyre dhe parandalon rritjen e baktereve të dëmshme në gojë. Kjo ndihmon në mirëmbajtjen e dhëmbëve duke punuar njëkohësisht me larjen dhe pastrimin e dhëmbëve me fill dentar. 

Një përfitim tjetër i rëndësishëm i fluorit është parandalimi i dëmtimit nga acidet që vijnë nga bakteret. Bakteret në gojën tuaj mund të shpërbëjnë sheqerin dhe karbohidratet dhe konsumojnë mineralet e shëndetshme në smaltin e dhëmbëve tuaj, ky proces njihet si demineralizim. Kjo i bën dhëmbët më të prirur ndaj kaviteteve. Siç e përmendëm më parë, përdorimi i fluorit do të ndihmojë në rimineralizimin e smaltit të dhëmbëve, gjë që mund të parandalojë kariet dhe shenjat e hershme të prishjes së dhëmbëve, duke i bërë ata të shëndetshëm. 

A ka ndonjë efekt anësor të mundshëm përdorimi i fluorit?

Edhe pse rrallë, kur konsumohet në doza shumë të mëdha, fluori mund të shkaktojë efekte anësore. Në produktet dentare sasia e pranishme është e kontrolluar dhe nuk mund të shkaktojë dëme, ndërsa në ujë shtohen 0.7 pjesë në milion pasi ky është maksimumi i lejuar. Më tej, ne do të shpjegojmë dy nga efektet anësore më të zakonshme që mund të vijnë nga fluori. 

Fluoroza dentare

Kur dhëmbët tuaj janë ende duke u formuar nën mishra dhe ju përdorni një sasi të lartë fluori, do t’ju fillojnë të shfaqen shenja të bardha në sipërfaqe. Ky quhet procesi i fluorozës dentare. Kjo nuk shkakton ndonjë dëm apo simptomë tjetër për dhëmbët. Fëmijët nën moshën 8 vjeç, të cilët ende nuk kanë zhvilluar të gjithë dhëmbët e përhershëm, preken nga ky problem. Për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të fluorozës dentare duhet të jeni të kujdesshëm dhe të mbikëqyrni fëmijët sepse ata priren të gëlltisin pastën e dhëmbëve.  

Fluoroza skeletore

Fluoroza dentare dhe fluoroza skeletore janë të ngjashme, por në vend të vetëm dhëmbëve kjo e dyta përfshin edhe kockat. Dhimbja dhe ngurtësimi i nofullës mund të jetë një nga simptomat dhe nëse nuk trajtohen mund të ndryshojnë strukturën e kockave dhe të shkaktojnë kalcifikim të ligamenteve. Zakonisht ndodh kur dhëmbët janë të ekspozuar ndaj fluorit për një kohë të gjatë dhe në nivele të larta. 

Përdorimi i fluorit gjatë kontrolleve dentare

Ndonjëherë marrja e sasive të rregullta të fluorit nga medikamentet pa recetë ose uji i rubinetit nuk mjafton për të shpëtuar dhëmbët tuaj nga prishja. Dentisti mund t'ju ofrojë trajtim profesional me fluor për dhëmbët tuaj. Këto trajtime mund të jenë të shpejta dhe të shkurtra. Gjatë kësaj procedure dentisti thjesht do të lëmojë mineralin mbi smaltin tuaj të dhëmbëve. Flisni me specialistët tanë nëse nuk jeni të sigurt nëse sasia e fluorit që po merrni është e mjaftueshme. 

Disa fakte mbi fluorin

Fakt: Minerali i fluorit gjendet natyrshëm në ujë, megjithëse zakonisht nuk është në një nivel mjaft të lartë për të mbrojtur dhëmbët.

Ky mineral gjendet natyrshëm në të gjithë furnizuesit e ujit si lumenjtë, ujërat nëntokësore dhe liqenet. Marrja e sasisë së duhur të fluorit në ujë është vërtetuar se mbron dhëmbët tuaj dhe parandalon prishjen e tyre. 

Fakt: Fluori është një mineral i rëndësishëm për ruajtjen e dhëmbëve të shëndetshëm. 

Fluori është një mineral natyral dhe marrja e tij në sasinë e duhur, në produkte dentare ose në ujë të pijshëm forcon dhëmbët. Fluori nuk është një ilaç. Fortifikimi i fluorit ndihmon në përmirësimin e shëndetit tonë, ashtu si metodat e tjera të fortifikimit si acidi folik i shtohet bukës dhe vitamina D i shtohet qumështit.

Fakt: Fluorizimi i ujit është zgjidhja më ekonomike për të mirëmbajtur shëndetin oral.

Fluorizimi është mënyra më e lirë për t'u siguruar njerëzve në të njëjtin komunitet një mënyrë për të parandaluar kariet dhe për të ruajtur shëndetin oral. Fluorizimi, në fakt, kursen para duke parandaluar prishjen e dhëmbëve.

Fakt: Uji i fluorizuar është mënyra më e mirë për të parandaluar prishjen e dhëmbëve të të gjithëve. 

Uji i fluorizuar ka benefite si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit. Pasta e dhëmbëve dhe uji i fluorizuar, së bashku, parandalojnë prishjen e dhëmbëve. Në vendet ku mungon uji i fluorizuar, pediatrët dhe dentistët rekomandojnë shpesh tableta me fluor për të ruajtur dhëmbët e fëmijëve pasi përdorimi i pastës së dhëmbëve nuk është i mjaftueshëm.

Fakt: Nivelet e larta të përqendrimeve të fluorit mund të shkaktojnë fluorozë dentare.  

Fluoroza dentare nuk shkakton dhimbje dhe nuk do të ndikojë në shëndetin ose funksionin e dhëmbëve. Kjo gjendje shkakton njolla të zbehta dhe të bardha në sipërfaqen e dhëmbëve dhe ndodh gjatë viteve të formimit të dhëmbëve gjatë moshës 8 vjeçare, nëse fëmijët ekspozohen ndaj niveleve të larta të fluorit. Fluroza nuk do të ketë asnjë impakt në shëndetin dhe funksionin e dhëmbëve. Studimet tregojnë se kur fëmijët rriten dhe arrijnë moshën madhore, fluoroza në dhëmbët e tyre do të bëhet më pak e dukshme se më parë pasi fillon të lehtësohet. 

Fakt: Marrja e niveleve të mjaftueshme të fluorit në fëmijëri është thelbësore për të pasur dhëmbë të fortë në të ardhmen.

Fluori është thelbësor për fëmijët dhe foshnjat që po zhvillojnë dhëmbë. Edhe para se dhëmbët të zhvillohen plotësisht dhe të bëhen të dukshëm në gojë, uji i fluorizuar mund të ketë disa benefite. Për të trajtuar dhe parandaluar kariet, mund të jetë efektive të shtoni ujë të fluorizuar në rutinën tuaj. Kjo do të sigurojë dhëmbë të fortë dhe më rezistentë gjatë gjithë jetës suaj. Një studim i vitit 2010 zbuloi se konsumimi i ujit të fluorizuar që në fëmijëri redukton mundësinë e humbjes së dhëmbëve deri në 40-50 vjet.

Fakt: Fëmijët që gëlltisin pastë dhëmbësh janë më të rrezikuar nga fluoroza.

Edhe pse studimet tregojnë se uji me fluor është i sigurt për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, fluoroza dentare është ende e mundur. Kjo ndodh veçanërisht te fëmijët e vegjël pasi ata priren të gëlltisin pastën e dhëmbëve kur lajnë dhëmbët. Fluroza nuk do të dëmtojë dhëmbët dhe nuk do të shkaktojë ndonjë problem në shëndetin e përgjithshëm të fëmijës. Por për ta parandaluar këtë, prindërit mund t'i mbikëqyrin fëmijët e tyre kur të jenë duke larë dhëmbët në mënyrë që të sigurohen t'u japin sasinë e duhur të pastës dhe t'i mësojnë të pështyjnë kur të mbarojnë larjen. Këto hapa të vegjël mund të parandalojnë shfaqjen e fluorozës. 

Fakt: Organizatat kryesore mjekësore dhe shëndetësore besojnë se uji me fluor është efektiv dhe i sigurt për dhëmbët tanë. 

Organizatat kryesore mjekësore dhe shëndetësore konfirmojnë se fluorizimi i ujit është i padëmshëm. Nuk ka asnjë lidhje midis ekspozimit të fluorit dhe kancerit të kockave, pavarësisht disa studimeve që pretendojnë të kundërtën. 

Mite rreth fluorit

Mit: Fluori shkakton kancer

Një nga mitet më të dëgjuara për fluorin është se ai shkakton kancer, por ky mbetet thjesht një mit. Janë kryer studime të shumta për të vërtetuar efektivitetin e përdorimit të fluorit dhe ata nuk kanë parë ndonjë lidhje mes tij dhe kancerit apo ndonjë sëmundje tjetër. 

Për më tepër, disa krahasime midis rajoneve me dhe pa fluoridim të ujit nuk tregojnë asnjë ndryshim në shkallën e kancerit. Kini parasysh që Akademia Amerikane e Mjekëve Familjarë dhe Instituti i Mjekësisë bien dakort që fluori është i sigurt, si dëshmi e mëtejshme se përdorimi i saj nuk përbën asnjë shqetësim. 

Nuk është i lidhur as me çështje të tjera shëndetësore

Ka pasur shumë keqkuptime në lidhje me përdorimin e ujit ose produkteve me fluor. Sipas një studimi, uji i fluorizuar nuk rrit rrezikun e diabetit, problemeve të veshkave ose sëmundjeve të zemrës. Autizmi dhe artriti gjithashtu nuk janë provuar të kenë ndonjë lidhje me përdorimin e këtyre produkteve. 

Mit: Fluori mund të shkaktojë alergji

Një tjetër keqkuptim për përdorimin e fluorit është se ai mund të shkaktojë alergji. Kjo nuk është e vërtetë, sepse ky mineral gjendet në ujë dhe në shumë vende dhe ushqime, që do të thotë se do të rriste shumë numrin e njerëzve që vuajnë nga alergjitë. Për më tepër, studimet e bëra nga organizata shëndetësore nga e gjithë bota kanë treguar se nuk ka asnjë korrelacion midis ujit të fluorizuar dhe alergjive. Gjithashtu, nuk shkakton efekte të tjera anësore imunologjike si mbindjeshmëria.

Mit: Fluori mund të shkaktojë lehtësisht fluorozë

Kur konsumoni fluor në doza tepër të larta, ju mund të prekeni nga fluoroza. Teknikisht, kjo është e mundur të ndodhë, por do t'ju duhet të pini një sasi shumë më të madhe fluori sesa zakonisht. Edhe nëse konsumoni ujë të fluorizuar, përdorni pastë dhëmbësh që përmban fluor dhe herë pas here merrni trajtime me fluor gjatë pastrimeve rutinë dentare, është prapë e vështirë që fluroza të krijohet. Ky shqetësm ndodh herë pas here, por është mjaft i rrallë, kështu që nuk duhet të shqetësoheni.

Më shumë për fluorozën

Siç e përmendëm më lart, fluoroza është shumë e vështirë për t'u zhvilluar. Për më tepër, edhe nëse ndodh në çdo rast është me simptoma të lehta. Kjo gjendje do të shkaktojë vetëm shfaqjen e njollave të bardha të zbehta në dhëmbët tuaj. Funksioni ose shëndeti i dhëmbëve nuk ndikohet aspak. 

Një shqetësim tjetër është se fëmija juaj ka më shumë shanse për të zhvilluar fluorozë nëse gëlltit pastën e dhëmbëve që përmban fluor. Edhe atëherë, ajo do të jetë një dukuri e vogël që nuk ka efekte negative në shëndetin e tyre të përgjithshëm. Gjithësesi nëse doni ta evitoni këtë problem, është e nevojshme të kini kujdes për pastën e dhëmbëve që u jepni fëmijëve tuaj, veçanërisht nëse ajo përmban fluor ose nëse nuk është e destinuar për gëlltitje dhe sigurohuni që ata të mos e hanë.

Mit: Fëmijët nuk duhet të përdorin fluor

Edhe nëse fëmijët janë në rrezik më të lartë të zhvillimit të fluorozës, ju nuk duhet të ndaloni përdorimin e këtyre produkteve. Dentisti do të rekomandojë sasinë e duhur që supozohet të përdoret. Për sa kohë që përdoret në sasi të duhur, fëmija do të përfitojë prej saj. Kjo do t'i ndihmojë ata të krijojnë dhëmbë më të fortë në të ardhmen dhe të parandalojnë prishjen e tyre. Kjo është arsyeja kryesore pse shumica e vendeve përfshijnë nivele të fluorit në ujin e tyre. 

Mit: Fluori nuk i ndihmon dhëmbët tuaj

Nëse kryeni mjaftueshëm kërkime për këtë temë, do të jeni të sigurt se fluori jo vetëm që nuk i dëmton dhëmbët, por përkundrazi është i mirë për ta, pasi ka shumë përfitime. Një nga përfitimet më të rëndësishme të tij është se shumë studime kanë treguar se prishja e dhëmbëve mund të parandalohet nga fluorizimi si tek fëmijët, ashtu edhe tek të rriturit.

Mit: Vendet e tjera nuk e fluoridojnë ujin e tyre

Do të zbuloni se shumë mite në lidhje me fluorin lidhen me fluorizimin e ujit. Një nga këto lidhet me mungesën e tij në ujë në disa vende, veçanërisht në Evropë. Disa madje pretendojnë se Evropa e ndalon përdorimin e tij, gjë që është krejtësisht e pavërtetë. Ky është informacion i rremë pasi, ndryshe nga amerikanët, shumica e vendeve evropiane fluoridojnë edhe kripën e tyre. Minerali i fluorit përdoret në mbarë botën, duke përfshirë Australinë, Evropën, Amerikën Latine dhe rajone të tjera për shkak të përfitimeve të shumta që ai mundëson. 

Tabela e përmbajtjes

Kontaktoni

sqShqip
Request a Free Estimate, fill out the form below.